Ju Lutem Na Ndiqni Ne Facebook Duke Klikuar Like!

Jun 16, 2013

Produktet e Fshehura të Derrit Alarmojnë Myslimanët

Sipas një sondazhi të fundit, myslimanët boshnjakë janë të shqetësuar për praninë e substancave të pashënuara të mishit të derrit në produktet ushqimore.

Grupet myslimane në Bosnjë kanë shprehur shqetësimin e tyre pas një sondazhi që tregoi se disa produkte ushqimore në shitje përmbajnë substanca të mishit të derrit, edhe pse kjo nuk është shënuar në pako.




Agjencia për Certifikimin Hallall të Cilësisë në Bosnjë, përgjegjëse për të kontrolluar nëse produktet janë të lejuara për t’u konsumuar nga myslimanët, ka analizuar produkte të shumta të shitura në supermarkete.

Damir Alihodzic, i cili bëri kontrollohet nga ana e Agjencisë, tha për Gazetën JnK se ekipi i tij zbuloi se 10 për qind e produkteve që kontrolluan kishin mish derri, edhe pse kjo nuk ishte përmendur në listën e përbërësve.

“Shumica e produkteve që përmbanin mish derri, pa e pasur të shkruar këtë, ishin të importuara nga Serbia, dhe disa ishin edhe nga Maqedonia”, tha Alihodzic.

“Gjetëm mish derri, gjithashtu në një produkt boshnjak që ka etiketë që thotë ‘e garantuar 100% pa mish derri’”, tha ai.

Komuniteti islamik ka akuzuar autoritetet se kanë treguar mungesë respekti ndaj myslimanëve, duke mos i bërë procedurat zyrtare më strikte kur kanë aprovuar produkte për shitje.

Ekrem Tucakovic, zëdhënësi i Komunitetit Islamik, tha për Gazetën JnK se myslimanët kanë të drejtë të dinë që produktet janë kontrolluar siç duhet, para se të jenë ofruar për t’u shitur.

“Është çështje mungese respekti ndaj besimtarëve dhe mashtrim ndaj qytetarëve”, tha Tucakovici. “Nuk e di faji i kujt është, por produktet duhen kontrolluar”.

Një ndihmës në një dyqan në Sarajevë tha për Gazetën JnK se klientët e saj rrallë i kontrollojnë listën e përbërësve të shkruar në produkte.

“Njerëzit nuk dyshojnë për përbërësit, sepse besojnë se çfarë thuhet në etiketa është e saktë”, tha ajo.

Mesud Lakota, kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve në Sarajevë, tha se shumë produkte nuk kontrollohen në Bosnjë, jo vetëm nëse kanë mish derri, por edhe për përbërës të tjerë.

“Nëse prodhuesi ka një certifikatë, duhet të besojmë se çfarë thuhet në produkt është e vërtetë”, tha ai. “Inspektime të tjera të tërësishme janë shumë të shtrenjta për t’u bërë gjithmonë”.

Ai beson se kriteret e importit në Bosnjë janë shumë të dobëta, dhe se shumë produkte të pakontrolluara përfundojnë në shitje në dyqane në të gjithë vendin.

“Çdokush mund të importojë çfarëdolloj gjëje në Bosnjë, sepse sistemi nuk është i përcaktuar në mënyrë strikte”, tha Lakota.

Damir Alihodzic beson se arsyeja kryesore për përfshirjen e mishit të derrit në produkte që shiten si “pa mish derri” është çmimi.

“Mishi i derrit është më i lirë se mishi i viçit dhe qëllimi kryesor i shumë prodhuesve është të fitojnë më shumë para, por prapë nuk është e drejtë që të përjashtohen kaq shumë të dhëna nga lista e përbërësve”, tha ai.

Banorët në Sarajevë kanë opinione të ndara për këtë çështje, disa i kritikojnë si ofensive, ndërsa të tjerë thonë që nuk e kanë shumë problem.

Benjamini, 47-vjeçar, tha se nëse analiza e Agjencisë është e vërtetë, disa prodhues i kanë mashtruar konsumatorët e tyre.

“Ky është mashtrim i konsumatorëve dhe ofendim ndaj atyre që nuk konsumojnë mish derri për arsye fetare”, tha ai.

Sandra, 39-vjeçare, tha për Gazetën JnK se nuk i intereson nëse ushqimi që konsumon përmban mish derri.

Por pranoi se është çështje e ndjeshme, duke qenë se shumë persona nuk duan të hanë mish derri, ose produkte që e përmbajnë atë.

“Nëse ka etiketë në produkte që garanton 100 për qind se nuk ka mish derri, por prapë së prapë ka, atëherë është mashtrim dhe abuzim i blerësve”, tha ajo.

Adi, 18, pranon se prodhuesit nuk janë gjithmonë transparentë për prodhimet e tyre dhe çfarë ofrojnë.

“I kritikoj ata që shkruajnë ‘100 për qind jo mish derri’ dhe gënjejnë për këtë - por në të njëjtën kohë mendoj se ka pak ekzagjerim në tërë këtë histori”, tha Adi.

Related posts

Description: Produktet e Fshehura të Derrit Alarmojnë Myslimanët Rating: 4.5 Reviewer: AlbianSadikuu ItemReviewed: Produktet e Fshehura të Derrit Alarmojnë Myslimanët
Al
Mbah Qopet Updated at: 10:50 AM

1 komente: