Ju Lutem Na Ndiqni Ne Facebook Duke Klikuar Like!

Jul 1, 2013

Vlerat e ujit Zem Zem


Nga vlerat dhe begatitë e ujit të Zemzemit janë edhe disa veçori të larta që Allahu i ka vendosur në të si:

1- Ai është uji më i mirë mbi sipërfaqen e tokës fetarisht dhe klinikisht.

Transmetohet nga Ibn Abasi, se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “...Xhibrili zbriti dhe më hapi kraharorin, pastaj e lau atë me ujë Zemzemi...”.

Buhariu transmeton në Sahihun e tij nga Ebu Dheri, se i Dërguari i Allahut (a.s.), në tregimin e Israsë dhe Miraxhit ka thënë: “...Xhibrili zbriti dhe më hapi kraharorin, pastaj e lau atë me ujë Zemzemi...”.


____________________________________________________________________________
POSTE TJERA:
___________________________________________________________________________

Ajniu ka thënë se: “Kjo ngjarje padyshim që vë në dukje vlerën e Zemzemit, sepse kraharori i të Dërguarit të Allahut (a.s.) është zgjedhur të lahet me ujin e tij.”

Për këtë arsye, Sirraxhudin Belkiniu ka thënë: “Uji i Zemzemit është më i mirë se uji i Keutherit, për shkak se me të është larë kraharori i të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe kraharori i tij duhej të lahej me ujin më të mirë.”

Megjithatë, uji i Zemzemit është më i mirë, në krahasim me çdo ujë tjetër në këtë jetë. Disa dijetarë kanë thënë: “Uji i Zemzemit është më i mirë, në krahasim me ujërat në këtë jetë, sepse uji i Keutherit ka lidhje me banesën e përhershme, kështu që ai nuk është përdorur në këtë jetë kalimtare.”

Vlerën e ujit të zemzemit e tregon edhe teksti i hadithit: “Uji i Zemzemit është uji më i mirë në sipërfaqen e tokës.”

Hafidh Irakiu[7] ka thënë: “Urtësia e larjes së kraharorit të Dërguarit të Allahut (a.s.) me ujin e Zemzemit ka qenë forcimi i tij (a.s.), me qëllim që të ketë forcë të përballojë shikimin e krijesave të tokës e të qiejve, Xhenetit dhe Xhehenemin. Uji i Zemzemit forcon zemrën dhe pushon frikën, dhe kjo është një nga veçoritë e tij.”

2- Pirja e tij të ngop, ashtu siç ngopesh nga ushqimi.

Muslimi transmeton në Sahihun e tij, se kur Ebu Dheri erdhi në Mekë dhe deshi të pranonte Islamin, qëndroi tridhjetë ditë e netë në Xhaminë e Shenjtë. I Dërguari i Allahut (a.s.) e pyeti: “Kush të ushqente?” Ebu Dheri iu përgjigj: “Unë nuk kisha ushqim tjetër përveç ujit të Zemzemit, mirëpo me të u shëndosha, saqë m’u bë barku me pala dhe nuk e ndjeja fare në mëlçi dobësinë e urisë.” I Dërguari i Allahut (a.s.) tha: “Ai është i begatë dhe ushqyes.”

Ibn Ethiri ka thënë se me këto fjalë ka si qëllim që njeriu ngopet kur pi ujë prej tij, ashtu sikurse ngopet kur ha ushqim.

Ibn Kajjimi, në lidhje me këtë veçori të Zemzemit, ka thënë: “Unë kam parë dikë që ushqehej me të përreth një gjysëm muaji rresht ose më shumë, duke mos e ndjerë aspak urinë. Ai kryente tavaf si çdo njeri tjetër në Qabe. Ai më ka thënë se ndoshta ka pasur raste të kem vazhduar të ushqehem me të edhe dyzet ditë rresht. Gjatë kësaj kohe ai kishte forcë të kryente marrëdhënie me bashkëshorten e tij, të agjëronte dhe të bënte tavaf herë pas here.”

3- Pirja e tij shërben si shërim kundër sëmundjeve

Argument për këtë shërben hadithi i transmetuar nga Ibn Abasi, ku thuhet: “Uji i Zemzemit është uji më i mirë në sipërfaqen e tokës. Ai është ushqyes dhe shërues sëmundjesh.”

Gjithashtu, argument për këtë vlen edhe hadithi i transmetuar nga Ebu Dheri në të cilin thuhet: “Zemzemi është ushqyes dhe shërues sëmundjesh.”

Transmetohet nga Ibn Abasi, se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Ethet janë prej shfryrjes së Xhehenemit, prandaj ftohini ato me ujë Zemzemi.”

Ibn Kajjimi ka thënë: “Unë dhe të tjerë përveç meje kemi parë gjëra të habitshme, sesi shërohesh me anë të ujit të Zemzemit. Unë kam gjetur shërim me të -me lejen e Allahut- nga shumë sëmundje.”

4- Uji i Zemzemit shërben për atë qëllim për të cilin pihet

Transmetohet nga Xhabir Ibn Abdilahu, se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Zemzemi shërben për atë qëllim për të cilin pihet.”

Transmetohet nga Muxhahidi se ka thënë: “Uji i Zemzemit shërben për atë qëllim për të cilin pihet. Nëse e pi atë me qëllim që të shërohesh, Allahu të shëron. Nëse e pin për shkak të etjes, Allahu ta heq etjen. Nëse e pi për shkak të urisë, Allahu ta heq urinë. Ai është goditja e Xhibrilit dhe me të Allahu i ka dhënë të pijë Ismailit.”

Shumë dijetarë të mëdhenj e kanë pirë ujin e Zemzemit për qëllime të ndryshme. Ata e kanë pirë për arritjen e dijes së dobishme, për mësimin e haditheve përmendësh, për të realizuar shkrimin e librave sa më mirë, për t’u shëruar nga disa sëmundje, për të mësuar ndonjë mjeshtri siç është hedhja e shtizës, për etjen e Ditës së Gjykimit dhe për të tjera gjëra të dobishme në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Atyre u është plotësuar ajo që kanë pasur si qëllim dhe këtë gjë e kanë dëshmuar shumë nga ata. Ne i lutemi Allahut që t’ua plotësojë edhe qëllimet në lidhje me jetën tjetër, siç është shuarja e etjes Ditën e Gjykimit. Këto ngjarje në përgjithësi janë reale dhe të sakta. Ato gjithashtu mbështesin saktësinë e hadithit “Zemzemi shërben për atë qëllim për të cilin pihet”. Megjithatë, ky hadith e ka të saktë zinxhirin e transmetimit dhe këtë fakt e kemi vërtetuar pak më parë, kur sqaruam dy veçoritë e kaluara të ujit të Zemzemit. Këto dobi që i përfitojnë njerëzit nga pirja e ujit të Zemzemit, padyshim që vijnë në sajë të suksesit, ndihmës dhe mëshirës së Allahut. Këto janë nga dobitë dhe begatitë, që Allahu i Madhëruar ka vendosur në këtë ujë. Ato janë akoma më të efektshme, sidomos kur qëllimi i atyre që e pijnë ujin e Zemzemit është i saktë.

Ibn Arabiu, në lidhje me dobitë që sjell uji i Zemzemit, ka thënë: “Këto vlera të dobishme kanë për të qenë të pranishme në këtë ujë deri në Ditën e Gjykimit, për atë që qëllimin e ka të saktë, për atë që besimin e ka të pastër, për atë që nuk e përgënjeshtron Zemzemin dhe për atë që e pi Zemzemin sa për eksperiment, sepse Allahu është me ata që i mbështeten plotësisht Atij dhe Ai i demaskon eksperimentuesit.”

5- Imam Zerkeshiu ka thënë se nga veçoritë e ujit të Zemzemit është edhe shija e tij. Allahu e ka bërë shijen e tij si të kripur, me qëllim që të jetë shenja e imanit gjëja më tërheqëse në të, sepse nëse ai do të ishte i ëmbël, mbi të do të mbizotëronte natyra njerëzore.

Një nga dijetarët, në lidhje me këto fjalë ka thënë se ai nuk është bërë i ëmbël, me qëllim që pirja e tij të jetë për adhurim e jo për shijim.

Gjithashtu, Zerkeshiu ka thënë se Allahu e shton ujin e Zemzemit gjatë kohës së haxhit. Ai shtohet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe mbetet i pastër. Ne dhe të tjerë përveç nesh e kemi parë me sytë tanë këtë fakt.

Këtu vlen të përmendet se uji i Zemzemit është i pastër në çdo kohë. Ai nuk ka ndonjë element që mund ta vërë në dyshim pastërtinë e tij. Kjo gjë është e vërtetuar edhe nëpërmjet analizave moderne që i janë bërë atij. Kohët e fundit, nga specialistët janë disa marrë kampione uji për qëllime verifikimi dhe analize. Këto kampione janë marrë drejtpërdrejt nga vendi ku buron uji. Nuk ka asnjë rezultat negativ që të ulë vlerat dhe pastërtinë e tij, apo që të pakësojë normat përdoruese të tij. Këto analiza janë bërë me anën e mjeteve më moderne të kohës tonë. Për këtë arsye, Qendra Kardiologjike Saudiane, për pastrimin e zemrave të të sëmurëve ka përdorur ujin e Zemzemit në vend të disa solucioneve mjekësore.

Këto ishin veçoritë më kryesore të ujit të Zemzemit. Disa dijetarë kanë përmendur edhe disa veçori të tjera të tij, por që kanë nevojë për argumente të sakta. Këtë çështje po e mbyll me një thënie të Ibn Kajjimit, në lidhje me vlerën dhe pozitën e ujit të Zemzemit mbi ujërat e tjerë. Ai ka thënë: “Uji i Zemzemit është uji më i mirë e më i pastër. Ai gëzon një pozitë të lartë. Ai është uji më i dashur për të gjithë njerëzit, çmimi dhe vlera e tij është shumë e shtrenjtë për ta. Ai është goditja e Xhibrilit dhe pija që Allahu i ka dhuruar Ismailit.”

Related posts

Description: Vlerat e ujit Zem Zem Rating: 4.5 Reviewer: AlbianSadikuu ItemReviewed: Vlerat e ujit Zem Zem
Al
Mbah Qopet Updated at: 1:16 AM

0 komente:

Post a Comment