Ju Lutem Na Ndiqni Ne Facebook Duke Klikuar Like!

Jun 23, 2013

Ushqimet e Ndaluara

Islami i ka ndaluar vetëm ushqimet që janë të dëmshme dhe defunksionojnë trupin, dhe materiet që janë narkotike dhe dehëse.

Ushqimet e ndaluara me tekst

Nga parimet e Fesë islame mësojmë se në përgjithësi ushqimet janë të lejuara, ndërsa ushqimet e ndaluara përcaktohen vetëm në bazë të tekstit ndalues të qartë e konkret nga Ligjdhënësi. Kështu, sfera e gjërave të ndaluara në ligjin islam është e ngushtuar shumë, ngase tekstet autentike që kanë të bëjnë me ndalimin, janë të pakta, por absolutisht të arsyeshme për qenien njerëzore. Në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë (Shih:El-En’am, m119).



Nuk është e domosdoshme që myslimani të ketë njohuri të hollësishme rreth të këqijave dhe dëmeve që janë shkak për ndalimin e gjërave, ngase dikush di më pak e dikush më shumë, ose sepse ndoshta e keqja nuk zbulohet në kohën kur jeton myslimani, por më vonë. Pra, besimtari duhet të thotë gjithmonë (Shih: El Bekare, 285).
Islami i ka ndaluar vetëm ushqimet që janë të dëmshme dhe defunksionojnë trupin, dhe materiet që janë narkotike dhe dehëse.Në vazhdim do t’i përmendim ushqimet që ndalon sheriati islam:

1. Bimët e ndaluara

Më lart përmendëm se bimët në përgjithësi janë të lejuara për t’u ngrënë, përveç atyre që janë helmuese, të ndyta dhe që i bëjnë dëm organizmit, si dhe bimët narkotike.(1) duke qenë të tilla, ato i ka ndaluar islami në mënyrë të prerë: (Shih: El Aëraf, 157).
Përderisa nuk ka argument për ndalimin e ngrënies së disa bimëve, përgjegjësi kryesore u mbetet shkencëtarëve që të hulumtojnë se cilat bimë janë helmuese dhe të dëmshme për shëndetin e njeriut.
P.sh. disa nga këpurdhat janë ushqyese, kurse disa janë helmuese. Ndërkaq, bimët narkotike, prej të cilave prodhohet droga, siç janë: heroina, kokaina, marihuana, hashashi, opiumi etj.- janë të ndaluara të konsumohen, sepse çdo gjë që mbulon mendjen dhe e nxjerr nga natyra karakteristike perceptuese e gjykuese, quhet “dehje” dhe konsiderohet haram nga Allahu dhe Pejgamberi i Tij deri në Ditën e Kiametit.(2)
Lidhur me këtë, Muhamedi a.s.,. thotë: “Çdo materie dehëse është alkool dhe çdo alkool është haram”.(3)
Edhe fukahatë e ndryshëm kanë sqaruar hollësisht për çështjen e drogës që është haram të konsumohet dhe që është e rrezikshme për shoqërinë.(4)
Ndalesa e drogës (narkomanisë) është sqaruar edhe në analogjinë (kiasin) e
dijetarëve islamë.(5)
Njeriu i sotëm është i rrezikuar edhe nga kjo substancë e re fantazmë dhe vrastare, e cila kërcënon me vdekje të sigurt. E këtillë është droga!
Dihet se njerëzit që përdorin drogën, bëjnë sakrifica të mëdha për sigurimin e saj, natyrisht duke shpenzuar edhe shumë para, dhe shpesh për disa individë aksionet përfundojnë tragjikisht. Mjerisht, sot droga po depërton pamëshirshëm tek shumica e njerëzve të botës dhe, nga kjo kuçedër e kohës së sotme, më së tepërmi është prekur pjesa më vitale e shoqërisë – rinia. Edhe pse tregtimi dhe përdorimi i drogës është i ndaluar me ligj, megjithatë ajo qarkullon dhe përdoret me të madhe. sot me miliona njerëz të mbarë botës kërkojnë përditë e më shumë “racionin e tyre” të drogës, sepse këtë e kërkon trupi i tyre i helmuar. Kjo masë e madhe konsumatorësh, u sjell miliona dollarë fitime në ditë spekulantëve të shfrenuar, të pamëshirshëm e antinjerëzorë, të cilëve u intereson vetëm fitimi dhe pasurimi i vet dhe asgjë tjetër. Viktimat që fillojnë të konsumojnë drogë, fillojnë të mësohen gradualisht dhe gjithnjë e më tepër me të, duke u bërë skllevër të saj. Pas kësaj fillon shkatërrimi shpirtëror e fizik, ndarja nga familja, nga shoqëria e nga puna, humbja e cilësive morale, lindja e fëmijëve të ngarkuar me trashëgimi të prindërve të degraduar, degradimi i brendshëm i personalitetit që çon në vjedhje, mashtrime,
krime e veprime të tjera të neveritshme, të cilat e çoroditin figurën dhe personalitetin e njeriut.(6) duke pasur parasysh këto që thamë, për dashurinë e vet ndaj njeriut – mëkëmbës i Allahut në Tokë dhe për të mirën e tij, Islami konsideron të ndaluara dhe mëkat të madh në mënyrë të rreptë përdorimin dhe konsumimin e drogës. Të përsërisim prapë se Allahu po na e tërheq vërejtjen kështu: (Shih:El Bekare, 195 dhe En-Nisaë, 29).Edhe pse mësojmë për dëmet që sjell përdorimi i drogës, mjerisht, sipas disa hulumtimeve, shohim se në Kosovë gjenden të gjitha llojet e drogave.(7)

2. Mishi i kafshëve që është i ndaluar për t’u ngrënë

Islami i ka fisnikëruar pjesëtarët e vet dhe ka përcaktuar kufij se deri ku mund të shkohet.
Pra, besimtari islam duhet ta ketë të qartë se, ç’ka do që të gjejë, nuk do të thotë se është e tij dhe ta përdorë ose ta hajë. Ato gjëra që neverisin natyrën e tij, kuptohet se janë të ndaluara për të. Allahu në Kur’ an i ka veçuar që janë të ndaluara këto lloje të mishit (Shih:El-Maide, 3).Pra, Allahu, përmes këtij ajeti kuranor, na bën me dije se janë të ndaluara këto lloje të mishit:

1. Ngordhësira (coftina)
2. Gjaku – është fjala për gjakun që rrjedh kur pritet kafsha
3. Mishi i derrit(8)
4. Ajo që theret jo në emër të Allahut
5. E furmja (me litar ose me zinxhir)
6. E mbytura
7. E rrëzuara (nga lart)
8. E shpuara (nga briri i tjetrës)
9. Ajo që ka ngrënë egërsira, përveç nëse arrihet të theret para se të ngordhë
10. Ajo që është therur për idhuj

3. Mishi i kafshëve të buta që janë të ndaluara për t’u ngrënë

Nga kafshët e buta, është i ndaluar mishi i gomarit dhe i mushkës (mushka është e ngjashme me gomarin)(9). Argument për këtë është hadithi i Muhamedit a.s.,:“I Dërguari i Allahut, në luftën e Hajberit kishte ndaluar të hahej mishi i gomarit të butë (shtëpiak), kurse kishte lejuar mishin e kalit”.(10) Për sa i përket mishit të kalit, Ebu Hanifja mendon se është i ndaluar për t’u ngrënë, kurse nxënësit e tij – Ebu Jusufi dhe Muhamedi e kanë lejuar.

4. Mishi i kafshëve të egra dhe i shpendëve që janë të ndaluara

Kafshët e egra që kanë dhëmbëshqyes dhe që u vërsulen kafshëve të tjera, si: ariu, ujku, dhelpra, hiena, qeni, macja, tigri, luani, leopardi etj., si dhe shpendët që kanë kthetra dhe që rrëmbejnë kafshë të tjera, si: huti, petriti, shqiponja, lejleku, sorra – të gjitha këto janë haram për t’u ngrënë. Argument për këtë është hadithi i Muhamedit a.s.: “I Dërguari i Allahut e ka ndaluar të hahet mishi i kafshëve që kanë dhëmbë shqyes dhe i shpendëve me kthetra”.
Po ashtu është e ndaluar të hahen insektet e vogla (kafshët e imëta) të tokës, siç janë: akrepi, gjarpri, hardhuca, miu, krimbi, skrranja, buburreci/thnegla, bleta, miza, mushkonja etj., sepse konsiderohen të ndyta, dhe janë prej gjallesave që kanë pak gjak.
Dijetarët islamë janë të mendimit se gjallesave që i ka ndaluar të mbyten Muhamedi a.s., nuk lejohet t’u hahet edhe mishi. P.sh., në një hadith të Muhamedit a.s. thuhet:“Pejgamberi a.s.,. ka ndaluar të mbyten katër gjallesa: buburreci, bleta, pupëza dhe guguçja”. Në disa transmetime mësojmë se Muhamedi a.s. ka ndaluar edhe mbytjen e bretkosës dhe lakuriqit të natës. Po ashtu dijetarët islamë thonë se edhe gjallesave që ka urdhëruar Muhamedi a.s. të mbyten, nuk lejohet t’u hahet mishi. Gjallesat në fjalë janë të përmbledhura në këtë hadith:“Pejgamberi a.s. ka thënë: pesë gjallesa, që të gjitha janë zullumqare,mund të mbyten si në jetën normale edhe në ihram (haxh ose umre): sorra, huti, akrepi, miu dhe qeni i tërbuar”.

5. Mishi i ndaluar i kafshëve që jetojnë në tokë dhe ujë

Mishi i kafshëve që jetojnë në tokë dhe ujë është i ndaluar të hahet, sepse bëjnë pjesë në ushqimet e ndyta. të tilla konsiderohen: krokodili, gjarpri, breshka etj..

6. Mishi i kafshëve që hanë ndytësira

Kafshë që hanë ndytësira konsiderohen ato që ushqehen gjithnjë me ndytësira dhe të cilave u vjen erë e keqe. Rreth kësaj çështjeje, dijetarët islamë nuk janë të një mendimi: Malikinjtë e lejojnë ngrënien e atyre kafshëve, ndërsa vetë Maliku, Ahmedi nga transmetimi i tij, Hanefinjtë dhe shafiinjtë – mishin e kafshëve që hanë ndytësira, e konsiderojnë mekruh, kurse Hanbelinjtëve këtë lloj mishi e kanë ndaluar. Për këtë lloj mishi kemi hadithin e Muhamedit a.s.: “Ka ndaluar Pejgamberi a.s. që të hipet mbi kafshët që hanë ndytësira dhe që të hahet mishi i tyre”. Hanefinjtë mendojnë se, ngrënia e mishit të kafshëve që hanë ndytësira, lejohet me kusht që ato, para se të theren, të mbyllen, në mënyrë që mishi i tyre të pastrohet. P.sh. pula duhet të mbyllet tri ditë para therjes, delja duhet të mbyllet katër ditë, deveja dhjetë ditë, kurse lopa edhe më tepër. Po qe se kafsha, krahas ndytësirave, ha njëkohësisht edhe ushqim tjetër të pastër, atëherë mishi i tyre është i lejuar.
Kur është fjala për pulën, është e ditur se ajo, përveçqë ushqehet me gjëra të ndyta, ha edhe ushqim tjetër të pastër dhe nuk i ndryshon fare mishi, prandaj nuk ka asgjë të keqe që të hahet mishi i saj, edhe për faktin se Muhamedi a.s, hante edhe mish pule.

7. Gjërat e ndyta

Gjëra të ndyta konsiderohen: fekalet, plehrat, mbeturinat, kalbësirat, sperma, këlbaza, qelbi etj. – të gjitha këto konsiderohen të ndyta (të pakëndshme) dhe që çrregullojnë organizmin e njeriut. Si të tilla, i ka ndaluar Allahu (Shih: El Aëraf, 157)

8. Gjërat e dëmshme

Gjëra të dëmshme a të rrezikshme konsiderohen ato që ia rrëzikojnë jetën njeriut dhe që e mbysin, siç janë: helmi, najloni, gjërat e ngurta, thëngjilli, gëlqerja, qelqi, dheu, ashti, guri, plastika, goma, druri, hekuri dhe llojet e tij, leshi, pambuku etj..
Për këto ushqime na e tërheq vërejtjen të ruhemi Allahu në Kur’an (Shih:El Bekare, 195 dhe En-Nisaë, 29).

Dispozitat islame të ushqimeve që kanë mbetur në heshtje

Ushqime që kanë mbetur në heshtje, në Islam konsiderohen ushqimet që nuk janë
përmendur në Kur’anin famëlartë, as në hadithet e muhamedit a.s., dhe as në vendimet e dijetarëve islamë (ixhmait,kiasit). Ushqimet e këtilla konsiderohen të lejuara, duke u bazuar në rregullën: “Në parim, çdo gjë është e lejuar”. (Shih: El Bekare, 28)Po ashtu edhe Muhamedi a.s., lidhur me këtë çështje, ka thënë: “Ajo për se Allahu ka heshtur, është falur nga Ai”. Ushqimet që janë (lënë) në heshtje, duhet të konstatohen nga ekspertët nëse për nga natyrshmëria e tyre janë të atilla që nuk e dëmtojnë shëndetin e njeriut.

Kur konsiderohen të lejuara ushqimet e ndaluara

Islami ngushton tryezën e të ndaluarave, po njëkohësisht ashpërson kategorinë e haramit si dhe mënyrat e pengimit, qofshin të dukshme a të padukshme. Çdo gjë që shpie në haram, konsiderohet haram; çdo gjë që ndihmon haramin, konsiderohet haram dhe çdo gjë që paraqet haramin si hallall, konsiderohet haram, e kështu me radhë. Në anën tjetër, Islami nuk i mohon nevojat e jetës dhe dobësinë e njeriut para tyre, kështu që vlerëson nevojën e pashmangshme dhe dobësinë njerëzore. Në këtë mënyrë ai i lejoi myslimanit që, në raste rrethanash të shtrënguara, të përdorë të ndaluarat që konsiderohen nevojë elementare dhe që e mbrojnë nga shkatërrimi.
Për këtë shkak, pas ndalimit të të ushqyerit me coftina, gjak e mish të derrit, Allahu thotë: (El Bekare, 173). Të njëjtën gjë Allahu e përsërit edhe në katër sure të tjera të Kur’anit, kur flet për ushqimet e ndaluara. Në bazë të këtyre ajeteve dhe atyre të ngjashme si këto, fukahatë (juristët) e Islamit formuluan parimin e rëndësishëm:
“Nevoja lejon përjashtime”. Është e qartë se ajetet e lejojnë të nevojshmin të hajë, natyrisht pa pasur si qëllim shijen dhe pa e tepruar. Në bazë të këtij kushtëzimi/lejim, fukahatë formuluan parimin: “Lejimi caktohet sipas masës së nevojës”. Përmes lejimit të të ndaluarave në rast nevoje, Islami mbron shpirtin e vet universal dhe parimet e veta të përgjithshme, gjegjësisht shpirtin e lehtësimit,që s’mund ta deformojë vështirësia.
Islami gjithashtu e çliron popullin nga prangat dhe zinxhirët që ishin të imponuar nga popujt e mëparshëm. Prandaj, me urtësi absolute,Allahu na drejtohet: (Shih: El Bekare, 185).

_______________________
1) Dr.Vehbetu Zuhajli “El-fikhu-l-islamijju ve edil-letuhu”, vëll. 4, f. 2592, bot. 4 Damask 1997.
2)Dr. Jusuf el-Kardavi “Hallalli dhe harami në Islam”, f. 67 Logos -A-,Shkup 1998.
3) Transmeton Muslimi në “Kitabu-l-Eshribeti”, El-Babu: “Bejanu en neë’kule muskirin hamrun, ve kulu hamrin haramun”, hadithi nr. 4728.
4)Sejjidus-Sabik “Fikhus-sunneti”, vëll. III, f.176, bot. 2, Bejrut 1998.
5)Flamur Sofiu “Usuli Fikhu”, f. 66, Prishtinë 2000.
6)Përkthim nga boshnjakishtja, përktheu V.Sh., “Takvim” i vitit 1997, f. 104, boton Kryesia e BIK, Prishtinë.
7)Ass. Dr. Ferid Agani “Dituria Islame”, Nr. 137, f. 53, boton Kryesia e BIK-së, Prishtinë.
8)Eksperimentet mjekësore kanë vërtetuar se ngrënia e mishit të derrit shkakton parazitin vdekjeprurës “Trihina spiralis”. Gjithashtu disa hulumtues kanë vërtetuar se ngrënia e vazhdueshme e mishit të derrit dobëson ndjenjën e turpit nga të pahijshmet. Shih për këtë: Dr. Jusuf el-Kardavi “Hallalli dhe harami në Islam”, f. 33, Logos -A- Shkup 1998.
9) Ebu Bekër Xhabir el- Xhezair “Minhaxhu-l-Muslim”, f. 509, bot. 1, Medine 1964.
10) Transmeton, Buhariu në “Kitabudh- dhebaihi ves- sajdi”, El- Babu: “Luhumu humuri-l- insijjeti”, hadithi nr:5087./mjekimislam/

Related posts

Description: Ushqimet e Ndaluara Rating: 4.5 Reviewer: AlbianSadikuu ItemReviewed: Ushqimet e Ndaluara
Al
Mbah Qopet Updated at: 3:20 AM

0 komente:

Post a Comment