Ju Lutem Na Ndiqni Ne Facebook Duke Klikuar Like!

Jun 17, 2013

KUSH QËNDRON PAS NGJARJEVE NË VENDET ARABE?

Është bërë gati normale, për një pjesë njerëzish, që çdo ngjarje madhore ta shohin si ajsberg që noton në ujërat e konspiracionit global, që fsheh pjesën tjetër të këtij procesi ngjarjesh. Kjo kulturë, pluskon kryesisht në ujërat e cekëta të mendjes njerëzore, për këtë dhe ajo është mjaft e përhapur mes tyre. Me këtë nuk dua të mohoj ekzistencën e konspiracioneve që luhen ngado nëpër botë, pasi diçka e tillë jo vetëm që do të ishte një injorim i fakteve të ndryshme, që dalin në shesh kohë pas kohe, por do të mohonte edhe atë çka Allahu e ka shprehur qartë në Kuran se ekziston dhe është e pandalshme. Ajo që unë dua të shqyrtoj këtu, është ligji themelor në bazë të të cilit zhvillohen ngjarjet në shoqërinë njerëzore. Bota materiale që ka krijuar Allahu i nënshtrohet ligjeve të caktuara po nga Ai vetë, është e pamundur që dikush tjetër veç Tij t'i ndryshojë këto ligje të natyrës.



 Pikërisht duke u bazuar në njohjen dhe zbulimin e vazhdueshëm të këtyre ligjeve, janë ndërtuar shkencat e ndryshme të natyrës, të cilat janë në gjendje të parashohin dhe shfrytëzojnë fenomenet dhe vetitë e larmishme të natyrës. Pyetja që shtrohet pas kësaj është: A ka edhe jeta e shoqërisë njerëzore ligje, njëlloj si bota materiale? Ndoshta do tu duket e pavend kjo pyetje, pasi a nuk janë ekzistenca e shkencave sociale si historia e sociologjia, që studiojnë këto ligje, përgjigja më mirë në këtë drejtim?! Natyrisht që po, por arsyeja që e shtroj këtë pyetje, bëhet për të tërhequr vëmendjen e atyre që kur gjykojnë ngjarjet e shoqërisë njerëzore, neglizhojnë t'i japin peshën që meritojnë këtyre ligjeve, ndërkohë që e bazojnë arsyetimin e tyre vetëm mbi aludime, të cilat të sjellin në përfundime, që në thelb bien në kundërshtim me ligjet shoqërore të Zotit, mbi të cilat zhvillohet jeta njerëzore. Nëse njohja e pjesshme dhe e deformuar e ligjeve të natyrës, ka qenë arsyeja kryesore e prapambetjes së shkencave të natyrës dhe teknikës dikur, po e njëjta gjë ndodh edhe me ata njerëz, të cilët neglizhojnë të marrin në konsideratë ligjet mbi të cilat lëviz shoqëria, si në analizën e ngjarjeve ashtu edhe në "zgjidhjet" që ata ofrojnë. Kjo është një nga arsyet e shumta, pse muslimanët sot nuk janë më në krye të zhvillimeve shoqërore dhe politike si dikur. Ndoshta është prirje e kuptueshme, që një shoqëri inferiore ta kërkojë dobësinë e saj jashtë vetvetes, por po ashtu është e kuptueshme që një vështrim i tillë nuk është aspak realist dhe ndikon fuqishëm në thellimin e kësaj dobësie. Përhapja e teorive të konspiracionit, janë opiumi më e mirë që mund t'i jepet një shoqërie për ta mbajtur atë të nënshtruar. Kur kjo bëhet nga vetë bijtë e saj, ky është kulmi i suksesit "konspirativ" të armiqve, sepse tregon që këta njerëz sëmundjen e marrin për ilaç, edhe pse ky "ilaç" nuk është veçse një drogë që fsheh dhimbjet dhe nuk shëron plagët që e shkaktojnë atë. Ndryshimet që po ndodhin këto ditë në vendet arabe janë parë nga mjaft njerëz si pasojë e "dorës së fshehtë", të gjithfarë lloj komplotesh me karakter global apo rajonal! Sipas këtyre analizave kontradiktore, del se deri dje këto vende jetonin nën diktatura laike, sepse pas qëndronte “dora e huaj” ndërsa sot këto vende po përjetojnë një proces ndryshimi, sepse pas tyre qëndron i njëjti burim komplotesh! Si është e mundur që gjërat të ndryshojnë në mënyrë kaq thelbësore dhe në një formë të tillë?! Më ka rënë rasti të dëgjoj musliman që ikjen e Ben Aliut dhe triumfin e revoltës popullore tuniziane, e shihnin te tërheqja e mbështetjes amerikane ndaj këtij diktatori! Problemi i këtij vështrimi nuk qëndron te provat, pasi ato janë gjithmonë të gjindshme, por te përmbysja e vlerësimit, te fakti se si shikohen cilat janë shkaqet dhe cilat pasojat. E ndërsa muslimanë të tjerë në komentet e tyre nëpër internet ishin akoma më misterioz, ku pa paraqitur asnjë provë të drejtpërdrejtë pohonin me bindje se, këto revolta po shkaktoheshin nga konspiracionet çifute, për të shkatërruar vendet arabe! Në realitet konkluzione të tilla burojnë më së shumti nga besime që u paraprijnë fakteve dhe vetëm më pas kërkohen prova për ta mbështetur atë. Kjo tregon mungesë objektiviteti dhe si e tillë ajo pjell vetëm injorancë dhe padrejtësi. Nëse të tilla teori konspiracioni shndërrohen në besime, atëherë ato bien ndesh me atë çka Allahu thotë, dhe në realitet ngelen vetëm hamendje të atyre që i besojnë dhe s’kanë lidhje me realitetin, që i nënshtrohet vetëm ligjeve të Zotit. Ne besojmë se, ligjet e shoqërisë njerëzore nuk ndryshojnë, pavarësisht ngjyrave që merr jeta në kohë dhe vende të ndryshme. Këto ligje kanë peshë jetike për njeriun në këtë botë dhe janë shumë herë më të rëndësishme sesa ligjet e natyrës fizike. Për këtë dhe këto ligje Allahu na i ka zbuluar në Kuran, në dallim me ligjet e tjera të cilat njeriu mund t’i zbulojë vetë dhe nuk kanë rëndësinë e të parave. Nëse i bëjmë një lexim objektiv tematikës ku flitet për kurthet gjatë gjithë Kuranit, do të vëmë re se ai e pohon ekzistencën e tyre. Në mjaft ajete që flitet për intrigat, folja që e identifikon këtë veprim është në kohën e tashme, çka tregon vazhdimësinë e intrigës si një traditë e armiqve të besimit si p.sh.: “Në të vërtetë, ata ngrenë kurthe, por dhe Unë ua pres me kurth.” (86:15-16) Në më shumë se tridhjetë herë në Kuran, në kontekste të ndryshme, përmenden fjalët intriga dhe kurthe. Një përsëritje kaq e shpeshtë e kësaj tregon se një fenomen i tillë është pjesë e pandarë e shoqërisë njerëzore. Ajo çka kuptohet nga shpallja e Zotit është fakti se, jeta në këtë botë asnjëherë nuk ka për të qenë e zbrazët nga intrigat apo siç quhen ndryshe: konspiracionet. Përderisa kjo botë është vend veprimi edhe për shejtanin, që është intriganti më madh, nuk ka sesi të imagjinohet që jeta e njerëzve në të, të jetë e lirë nga intrigat, të vogla apo të mëdha qofshin ato. Problemi i vërtetë qëndron në faktin se, çfarë force reale kanë këto konspiracione në jetën e shoqërisë njerëzore? A janë ato një hiç, apo ato janë vërtetë mekanizmi që vë në lëvizje shumë prej ngjarjeve historike dhe paravendos fatin dhe përfundimin e tyre? Para përgjigjes së kësaj pyetje do të shtrojmë një tjetër pyetje që lind në raste të tilla. Dihet që konspiracionet mbahen sekret më shumë se çdo gjë tjetër në botë, krijuesit e tyre shpenzojnë maksimumin e mundshëm për mos dekonspirimin e tyre. Në këto kushte, çfarë gjasash kanë njerëzit e thjeshtë, të mësojnë të vërtetën e plotë për to? Nëse kjo mundësi realisht është e pakët, atëherë mbi çfarë bazash objektive, të bazuara në fakte dhe jo aludime logjike, ne mund të pohojmë për një rast konkret se pas saj fshihet një konspiracion? Ne nuk na intereson se çfarë hamendësojnë njerëzit për këtë, sepse e vërteta nuk faktohet nëpërmjet hamendësimeve, por ne duhet të besojmë atë çka thotë Allahu. Absolutisht nuk mund të barazohet besimi në një ligj të pandryshueshëm të Zotit në shoqërinë njerëzore, me besime që ngrihen mbi aludime dhe prova të tërthorta dhe jo mbi fakte. Çdo ndryshim në jetën e një populli duhet domosdoshmërisht të shihet nëpërmjet këtij ligji që Allahu pohon në Kuran ku thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (13:11) dhe jo nëpërmjet konspiracioneve, sepse nuk janë ato vendimtare për ndryshimin e rrjedhës së jetës së një populli. Allahu pohon në Librin e të vërtetave se: “dinakëria e djallit është e dobët!” (4:76) “dijeni se Allahu i dobëson dredhitë e mohuesve.” (8:18) “kurthet e mohuesve janë të dënuara të dështojnë.” (40:25) Të pohosh se bota lëvizet nga konspiracionet, do të thotë të pohosh se të fshehtën (gajbin) dhe të nesërmen e shoqërive njerëzore e cakton dhe e di dikush tjetër veç Zotit “A mos ata zotërojnë të fshehtën, kështu që mund ta përshkruajnë?! A mos duan të ngrenë kurthe kundër teje? Ta dinë se vetëm mohuesit do të bien në kurthe!” (52:41-42) Allahu thotë: “Ne kemi bërë në çdo qytet që keqbërësit më të mëdhenj të ngrenë kurthe. Mirëpo, kurthet ia ngrenë vetëm vetvetes e ata nuk e ndiejnë këtë.” (6:122-123) Ajete të tilla pohojnë se Allahu është Sundimtari i vetëm kësaj bote dhe janë ligjet e Tij ato të cilave iu nënshtrohet jeta njerëzore, dhe jo komploteve të kujtdo qofshin ato. Ai e pohon mjaft qartë këtë ligj kur thotë: “Ata u sollën me mendjemadhësi në tokë dhe me kurthe të shëmtuara, të cilat godasin vetëm atë që i bën. Vallë, a presin ata diçka tjetër veç asaj që ka goditur të mëparshmit? Vërtet, Ti nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e Allahut.” (35:42) Fakti që Allahu pohon se, “nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e Allahut.” pikërisht pasi ka folur për kurthet dhe përfundimin e tyre, është mjaft domethënëse për të kuptuar sesi funksionojnë ligjet e Zotit në shoqërinë njerëzore. Duke ndërthurur ligjin e Zotit se, ndryshimi vjen nga vetë njeriu, me ligjin se, intrigat dhe kurthet janë më së shumti bela për atë që i bën, arrijmë në përfundimin se, besimtari nuk duhet të stresohet për konspiracionet e armiqve të tij dhe as të preokupohet shumë me to, por mbi të gjitha, ai duhet të preokupohet për veten dhe gjendjen shoqërisë së tij. Allahu thotë: “e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre! Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (16:127-128) Ajeti që tregon më së qarti vlerën e vërtetë të konspiracioneve dhe mënyrën e përballimit të tyre, janë fjalët e Allahut që thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, kurthet e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.” (3:120) E pra, në asnjë ajet të vetëm kuranor, Allahu nuk i obligon besimtarët që të preokupohen me zbulimin e kurtheve që bëhen ndaj tyre, jo se kjo është e ndaluar, por sepse nuk është kjo zgjidhja që ndryshon gjendjen e besimtarëve. Vetë Allahu me mirësinë e Tij ka marrë përsipër asgjësimin e çdo lloj konspiracioni, e ajo që Ai kërkon prej nesh, si kusht që ky premtim të përmbushet plotësisht është: durimi dhe devotshmëria. Në masën që besimtarët do të përmbushin këtë kusht do të përmbushet dhe premtimi “Ata kurdisin kurthet e tyre, por Allahu i di kurthet e tyre. Edhe sikur prej kurtheve të tyre të shembeshin malet. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve.” (14:46-47) Nga kjo që thamë dalim edhe në një përfundimin tjetër se, të pretendosh që konspiracionet janë ato që fshihen pas çdo ngjarje me rëndësi në mbarë botën, do të thotë të mos i besosh realitetit dhe të mbjellësh pesimizëm mes besimtarëve. Ky është efekti që bëjnë më së shumti shpërndarja masive e materialeve që flasin për konspiracionet. Nëse materiale të tilla do të ishin të vërteta në çdo pjesë të tyre dhe në tërësinë e mesazhit që ato përçojnë, atëherë me të vërtetë situata do të ishte e pashpresë dhe për të mos mohuar të vërtetat kuranore që përmendëm, do të na duhej të besonim se mbarë muslimanët janë përtokë me durimin dhe devotshmërinë e tyre, ndryshe nuk ka sesi të jetë e vërtetë që intriga të tilla kaq të mëdha të jenë të vërteta! E nëse do të besonim këtë gjë, do të mohonim ekzistencën e sa e sa besimtarëve të devotshëm që ka ky umet dhe ndoshta do të binim në kërcënim e Profetit (alejhi salatu ue selam) që thotë: “Nëse njeriu thotë: janë prishur njerëzit, ai është më i prishuri i tyre.” (Muslimi) Forca më e madhe e një intriganti është t’i ftojë njerëzit t’i besojnë fjalëve të tij, e nëse intriganti më i madh është shejtani, intriga e tij është e dobët dhe kufizohet vetëm tek ftesa, siç ai thotë vetë: “Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët.” atëherë, faji qëndron vetëm tek ne, kështu që me të drejtë në zjarr ai do të thotë: “mos më qortoni mua, por qortoni veten!” Një popull që e kërkon fajtorin e sëmundjes së tij gjithmonë jashtë vetes, nuk ka shpresë se një ditë do të mund të shërohet. Këtu nuk mund të rri pa thënë edhe dy fjalë për atë që po përjetojnë sot vendet e ndryshme arabe. Kushdo që i njeh këto vende, ka parë qartë se ato sundoheshin ose sundohen akoma, nga regjime autokratike dhe diktatoriale në shumë drejtime, në veçanti në drejtim të lirisë politike e të fesë, shto këtu edhe dallimin ekstrem në ndarjen e pasurisë mes klasës së korruptuar pushtetare dhe popullsisë shpesh të varfër, për të mos përmendur këtu edhe politikën e jashtme servile dhe tekanjoze dhe që kanë këto vende. Një brez i tërë njerëzish u lindën dhe u rritën nën regjime të tilla shtypëse, nëse një ditë këta njerëz do të shpërthenin, ky është ligji i Zotit dhe pas saj nuk ka kurrfarë konspiracioni apo çudie. E gjithë historia e njerëzimit është e mbushur me të tillë shembuj. Kur dhimbjet që shkakton ndryshimi, nga skllavëria drejt lirisë, janë më të pakta sesa dhimbjet e robërisë së tej zgjatur, aty lind ndryshimi dhe revolta. E gjitha kjo është e dukshme dhe e prekshme në jetën e këtyre popujve, ndërsa shkëndija që do të provokonte fillimin e ndryshimit, është vetëm çështje kohe dhe në dorë të Zotit dhe pak e rëndësishme. Të aludosh për tjetër shkaktar të vërtetë të tyre dhe të abuzosh me të për konspiracione, do të thotë të mos i japësh aspak rëndësinë e duhur ligjit të Zotit për ndryshimin e shoqërive njerëzore. Gjatë gjithë kësaj kohe nga informacioni i marrë nga mediet e ndryshme arabe dhe kontaktet me njerëz që kanë përjetuar këto ngjarje, nuk kam parë asnjërin të thotë se, shpërthimi i këtyre revoltave ishte lojë e komploteve, edhe pse njerëz të tillë -të një niveli më të ulët- e di që ka. Unë kurrë nuk do të guxoja, që mjaft prej këtyre njerëzve e dijetarëve të shquar që kam dëgjuar e lexuar, të flasin për këto ngjarje, të dyshoja në sinqeritetin e fjalëve të tyre, kur thoshin se e gjitha kjo ishte rezultat i natyrshëm i ligjit të Zotit, edhe pse për momentin ishin të papritura për çdo kë, madje edhe për vetë ata që pretendohet pa fakte, se i kanë kurdisur këto ngjarje, të cilët në fund të fundit nuk kishin absolutisht asnjë interes nga këto ndryshime, edhe pse do të mundohen me çdo mjet të vjelin diçka prej fryteve të këtyre revoltave popullore. Ditët janë të mbarsura me ngjarje dhe një fjalë e urtë arabe thotë se ato do të shfaqin atë që nuk e dije dhe lajmet do të t’i sjellë ai që nuk e prisje...
/mjekimislam/

Related posts

Description: KUSH QËNDRON PAS NGJARJEVE NË VENDET ARABE? Rating: 4.5 Reviewer: AlbianSadikuu ItemReviewed: KUSH QËNDRON PAS NGJARJEVE NË VENDET ARABE?
Al
Mbah Qopet Updated at: 8:37 AM

0 komente:

Post a Comment